Skip to main content

Citizens.al

Shoqërim të protestuesve nga efektivët civilë në protestën e 8 shtatorit

Protesta e paralajmëruar para Parlamentit, në ditën kur nisi sesioni i ri parlamentar, u shoqërua me përplasje mes qytetarëve dhe policisë, ndërhyrje të efektivëve civilë dhe shoqërime të shumta në komisariate. 

Qindra protestues u mblodhën pranë Parlamentit në ditën e parë të punimeve të sesionit të ri parlamentar. Teksa prisnin daljen e deputetëve, situata u tensionua gjatë mbrëmjes, kur policia ndërhyri ndaj protestuesve dhe disa prej tyre u shoqëruan në komisariatet e Tiranës.

Ndërhyrjet e efektivëve civilë u vunë re në disa momente të protestës, pasi rrethonin qytetarët dhe pa u identifikuar si punonjës policie.

Mirjan Aliaj, është një prej protestuesve më të angazhuar të “Revolucionit Flamingo”, u shoqërua mbrëmjen e së martës pavarësisht se ishte në trotuar duke protestuar paqësisht. Sipas dëshmisë së tij, një prej policëve civilë doli nga kordoni i policisë dhe tentoi ta tërhiqte nga krahu. Mirjani thotë se fillimisht u largua , por më pas disa civilë e kapën.

“Nuk kishte asnjë hedhje vezësh, asnjë gjë. Kapën një djalë tjetër dhe duke dashur ta ndihmoja, më kapën edhe mua.” rrëfen Mirjani.

Ai thotë se efektivi që e ndaloi nuk u identifikua dhe se, pasi u prangos, u mbajt në automjet, pasi efektivët civilë nuk mund ta dërgonin vetë në komisariat dhe po prisnin një punonjës me uniformë. Më pas, Mirjani u shoqërua në Komisariatin nr. 6, larg zonës ku po zhvillohej protesta, ku sipas tij qëndroi rreth katër orë pa iu komunikuar qartë se për çfarë veprimi po mbahej.

“Mendoj që këto janë taktika për të shpërqendruar protestën edhe për t’i ndarë protestuesit”, argumentoi ai arsyen pse e dërguan në komisariatin nr. 6, shumë larg hapësirës në të cilën po protestonin.

“U arrestova si kriminel për një qese me vezë”

Një tjetër qytetar i shoqëruar ishte Erold Dragoshi, i cili thotë se u ndalua nga një grup prej rreth dhjetë personash me veshje civile, pasi kishte me vete një qese me vezë. Sipas tij, efektivët i kërkuan të hapte qesen dhe më pas i thanë se nuk lejohej t’i kishte ato me vete gjatë protestës.

“Më ndaluan, më rrethuan, më thanë çfarë ke aty, hape pak qesen ta shohim”, tregon Eroldi për Citizens.al.

Çështja e identifikimit të punonjësve të policisë është e parashikuar edhe në rregullat që përcaktojnë mënyrën e komunikimit të tyre me qytetarët. Sipas nenit 15 të Rregullores së Policisë së Shtetit, punonjësi i policisë duhet të identifikohet që në komunikimin e parë me qytetarin, duke paraqitur dokumentin e identifikimit policor dhe të shërbimit.

“Identifikimi i punonjësit të policisë nuk është një mundësi apo zgjedhje e tij, por një detyrim ligjor që duhet të përmbushet që në momentin e parë të komunikimit me qytetarin,” shprehet avokati Gentjan Sejrani duke shtuar që në rastin e protestës së 8 shtatorit një mënyrë e tillë ndërhyrjeje duhet të ishte shmangur, veçanërisht në një situatë ku në vendngjarje ka pasur një numër të konsiderueshëm efektivësh me uniformë.

Për Eroldin, thirrjet që dëgjonte nga protestuesit jashtë komisariatit që thërrisnin “jemi me ju” dhe “nuk jeni vetëm” ishin mjaft mbështetëse për të shoqëruarit.

Kjo ndjenjë përbashkësie dhe solidariteti mes protestuesve, është një ndër arsyet pse ai thotë që do vijojë të protestojë çdo ditë.

Teksa disa prej protestuesve ishin brenda katër mureve, protesta u zhvendos nëpër qytet, nga parlamenti, drejt kryeministrisë, më pas drejt Drejtorisë së Policisë dhe në fund drejt zonave të tjera të Tiranës duke përfunduar te kryqëzimi i 21 Dhjetorit.

Mënyra disproporcionale e ndërhyrjes së policisë, veçanërisht përdorimi i efektivëve civilë në ndalimin e protestuesve, është një prej elementëve më të diskutueshëm të protestës së 101-të dhe ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si policia ndërhyn ndaj qytetarëve gjatë protestave.

Lexo gjithashtu:

“Nga protesta në komisariat”, aktivistët përballen me policinë

“Na morën vetëm se ishim aty”; Rrëfimet e protestuesve të shoqëruar në komisariate

Protesta para Kuvendit: gaz lotsjellës dhe shoqërime në komisariat

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *